
Miliona afganë do të vuajnë nga uria këtë dimër dhe kjo krizë humanitare mund të shmanget vetëm me veprime urgjente. Paralajmërimi është lëshuar nga Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara. Më shumë se gjysma e popullatës, rreth 22.8 milionë njerëz, do të përballen me pasiguri akute ushqimore, teksa 3.2 milionë fëmijë nën 5 vjeç do të vuajnë nga kequshqyerja.
“Afganistani tani është shndërruar një ndër krizat më të këqija humanitare të botës, në mos më e keqja”, thekson Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar se situata po degradon deri në një katastrofë. Mungesat në ushqime dhe produkte të tjera të domosdoshme erdhën pasi talebanët morën kontrollin e plotë të Afganistanit. Fuqitë perëndimore pezulluan ndihmat, ndërsa Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndaluan pagesat për këtë vend, me arsyetim se talebanët do t’i keqmenaxhonin. (A2 Televizion)