
Kultivimi i kanabisit si edhe rritja e parcelave të identifikuara nga Guardia di Finanza ka bërë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku të mbledhë të gjithë drejtorët e qarqeve në takim.
Mësohet se fluturimet e para të avionit të Guardia di Finanza kanë pikasur Lezhën, Malësinë e Shkodrës, por edhe Krujën si ndër zonat më problematiket ndërsa diçka e tillë ka bërë që drejtori i policisë të kërkojë informacion te vartësit.
Kontrolli i territorit nisi si nga ajri, por edhe nga toka në operacionin e quajtur “Alpetë pastra”.
Koordinatat janë dhënë nga avioni i specializuar italian i cili për të disatin vit radhazi ndihmon Shqipërinë në identifikimin e parcelave me kanabis në të gjithë territorin.
Në janar të këtij viti autoritete italiane thanë se operacionet ajrore kanë vërtetuar reduktim të parcelave me drogë në Shqipëri, por ngritën alarmin e lulëzimit të shtëpive të barit.Një tjetër formë e përdorur nga grupet kriminale janë dhe serat, tunelet nëntokësore me teknologji që përshpejtojnë rritjen e kubikëve, por edhe zonat e thella pyjore për të cilat ka qenë mjaft i vështirë identifikimi.
Guardia di Finanza, edhe pse vlerësoi uljen e sipërfaqeve të mbjella me kanabis, si pasojë e goditjes nga policia u shpreh se hashashi i mbjellë në Shqipëri vijon të mbetet problem pasi grupet kriminale po gjejnë dhe forma të reja në mbjelljen dhe trafikun. (A2 Televizion)