
Parlamenti i Moldavisë miratoi të enjten qeverinë pro-perëndimore të udhëhequr nga kryeministri Dorin Recean, i cili u zotua gjatë fjalës së tij të parë në krye të ekzekutivit se do të bëjë të gjitha përpjekjet për ringjallur ekonominë e vendit dhe të ndjekë një kurs drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.
Presidentja Maia Sandu emëroi të premten 48-vjeçarin Recean për të zëvendësuar Natalia Gavrilita, e cila dha dorëheqjen pas 18 muajve në pushtet, që u shoqëruan me trazira ekonomike dhe ndërhyrje nga Rusia.
Dorin Recean, i cili më herët ka mbajtur postin e ish-ministrit të brendshëm, mori 62 vota pro në parlamentin me 101 anëtarë.
“Ne duam që të jetojmë në një botë të sigurt ku respektohen traktatet ndërkombëtare, ku problemet mes vendeve zgjidhen përmes dialogut, ku ka respekt për shtetet e vogla”, tha Recean.
Dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, Moldavia ka 2.5 milionë banorë dhe kufizohet me Ukrainën dhe Rumaninë, gjithashtu ajo është kandidate për anëtarësim në BE. (A2 Televizion)