
Nis mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike. Nga 34 anëtarë të saj, 5 prej tyre nuk janë më pjesë.
Ish-kryetari Lulzim Basha, nënkryetarja Grida Duma, Agron Gjekmarkaj, Lindita Metaliaj dhe Flutura Açka kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet politike.
Ndërkohë, Tomor Alizoti, i cili më parë kishte deklaruar që nuk do të ishte më pjesë e Kryesisë, sot ishte i pranishëm në mbledhje.
Ndërkohë, zbardhen disa nga mendimet e të pranishme, si ai i deputetit Helidon Bushati, që ka mbajtur edhe funksionin e drejtuesit politik të Shkodrës, seri në janarin e kaluar.
“Bashkimi do të duhet të jetë kryefjala jonë, jo vetëm në retorike por edhe me akte konkrete. Partia Demokratike e ka jetike rikthimin në një debat konstruktiv. Si sinjal të parë unë do dëshiroja që t’i kthehet normaliteti godinës, ta zhveshim nga fortifikimi si sinjal të parë të rikthimit në normalitet”, ka deklaruar Bushati sipas burimeve të A2 CNN.
Ndërkohë, anëtari kryesisë dhe kryetari i përkohshëm Enkelejd Alibeaj, deklaroi se pati “mbledhje me sekretariatin për të diskutuar në lidhje me situatën në parti”.
Alibeaj shtoi se “së pari, për nesër kemi paraqitur mocion me debat. Është nga shenjat e luftës opozitare. Një nga drejtimet ku duhet të ecë partia, është lufta opozitare në parlament e sinqertë dhe e plotë. Së dyti, kemi situatën tonë, ku jemi, për qëndrimin e mëtejshëm. Pesha për secilin është e madhe. Por duhet që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurt”. (A2 Televizion)