
Sot gjithë vëmendja është në Andorra, aty ku Partizani luan ndeshjen e parë ndaj Atletik Descalades. Demat edhe pse vijnë si favoritë në letër, trajneri Zoran Zekic nuk i ka nënvlerësuar aspak kundërshtarin duke theksuar se në ndeshje të tilla, luhet gjithçka për gjithçka.
Edhe sa i përket formacionit, kroati nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha. Dilema e vetme është në sulm nëse do të aktivizojë Eros Grezdën që nga minuta e parë, në vend të Tedi Carës apo Da Silvës, pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon. Në konferencën për shtyp Zekic u tregua optimist teksa tha kualifikimi është në duart e tyre.
Duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe të luajmë lojën tonë. Jo nuk jemi favoritë pasi ndeshje të tilla nuk mund të ketë favoritë. E di që të dyja ekipet do të bëjnë maksimumin por ne duhet të tregojmë autoritet.
Deri tani të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Kemi luajtur dy ndeshje të mira, me një futboll të bukur dhe shpresoj që e njëjta gjë të jetë dhe këtë herë. Kemi analizuar kundërshtarin gjatë këtyre ditëve. Ekipi është i motivuar dhe gati.
Dueli mes Atletik Deskalades dhe Partizanit do të luhet sot duke nisur prej orës 17:00. (A2 Televizion)