Partizani zbarkon në Letoni për sfidën me Valmiera

Nga A2 CNN
9 Gusht 2023, 11:26 | Futboll
Partizani zbarkon në Letoni për sfidën me Valmiera

48 orë përpara ndeshjes. Ndoshta nga padurimi për të zbritur në fushë dhe për të hipotekuar sa më shpejt fazën “play-off” në Conference League. Ndoshta për t’iu larguar interesimit të jashtëzakonshëm për miqësoren e kësaj të diele me Romën. Por, edhe ndoshta për t’u ambientuar me kushtet atmosferike, me temperatura të ulëta, reshje dhe erë.

Fakti është që Partizani zbarkoi në Letoni më herët nga sa mendohej. Të kuqtë mbërritën në Riga, u akomoduan në hotel dhe madje zhvilluan seancën e parë stërvitore në kompleksin e Akademisë së Riga FC. Skuadra është rivale e madhe e Valmiera-s, kundërshtarëve të radhës së kampionëve të Shqipërisë.

Për më tepër, trajneri Zekiç ka gjetur aty mikun e tij, Tomislav Stipiç. Ky i fundit i ka dhënë orientime të detajuara për kundërshtarët, rreth pikave të forta të Valmiera-s, por edhe se ku Partizani duhet të synojë t’i godasë.

Edhe pse nuk pritet ta ndryshojë formacionin nga sfida e fundit europiane, trajneri Zekiç pritet t’i ketë idetë më të qarta përpara ndeshjes. Pas stërvitjes zyrtare të kësaj të mërkure në stadiumin “Skonto Stadium”, Partizani do të zbresë të enjten në orën 19:00 në fushë, për sfidën me Valmieran. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos