
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Madrid ka marrë një letër të ngjashme me letrat-bombë që iu dërguan ambasadës ukrainase në Spanjë dhe institucioneve të tjera në vend.
Mediat lokale raportojnë se në ambientet e ambasadës dhe perimetrin përreth janë duke u zbatuar protokolle kundër terrorizmit.
Zarfet me letra-bombë kanë nisur të shpërndahen në Madrid që nga e mërkura. Një punonjës mori lëndime të lehta pas shpërthimit të njërit prej tyre në ambasadën e Ukrainës në Spanjë, ndërsa autoritetet e vendit nisën hetimet dhe rrethuan me kordon zonën.
Pako të ngjashme i janë dërguar Ministrisë Spanjolle të Mbrojtjes, një qendre satelitore në një bazë ajrore dhe një prodhuesi armësh që bën granata për Ukrainën.
Një pajisje e ngjashme shpërthyese i është dërguar edhte kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, më 24 nëntor, por që u zbulua në kohë nga ekipet e ekspertëve.
Ndërkohë, aktet janë dënuar nga ambasada Ruse në Madrid që në një reagim thoshte se “çdo kërcënim terrorist, e sidomos ato që u drejtohen misioneve diplomatike, janë totalisht të dënueshme.”
Gjykata Kombëtare e Spanjës po e heton incidentin në ambasadën ukrainase si akt terrorist. (A2 Televizion)