I hiqen dy akuza autorit të tragjedisë, përfiton nga amnistia, kërkon edhe gjykim të shkurtuar

Nga Armend Pire
10 Nëntor 2026, 19:08 | Kronikë

I hiqen dy akuza autorit të tragjedisë, përfiton nga amnistia,

Nikollë Radaçi, 57-vjeçari që më 3 maj aksidentoi tre fëmijë, dy prej të cilëve humbën jetën dhe një mbeti i plagosur, duket se mund të përfitojë nga amnistia.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës, seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati vetëm pak minuta. Gjatë saj u bë e ditur se ndaj tij është hequr akuza e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur, si dhe ajo e largimit nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, i pandehuri ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka, nëse miratohet, i ul një të tretën e dënimit.

Zhvillimi i fundit ka shtuar tronditjen dhe indinjatën e familjarëve të viktimave. Babai i fëmijës së plagosur e cilëson lehtësimin e akuzave si një padrejtësi të madhe. Ai kërkon që shteti të vendosë drejtësi dhe shprehet se do ta ndjekë çështjen deri në fund, në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i 57-vjeçarit, Aleksandër Ndreaj, pretendon se nga testi i kryer pas aksidentit rezultoi se klienti i tij kishte konsumuar një sasi të vogël alkooli.

Me akuzën e mbetur për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e dy fëmijëve dhe plagosjen e një të treti, Nikollë Radaçi rrezikon nga 5 deri në 20 vite burg, nëse nuk i miratohet kërkesa për gjykim të shkurtuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos