Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut konstaton shkelje të Konventës Europiane nga Shqipëria në çështjen e Fredi Belerit. Strasburgu vendosi se mbajtja e tij në paraburgim, pas përfundimit të hetimeve për korrupsion zgjedhor, nuk ishte justifikuar me argumente të mjaftueshme nga gjykatat shqiptare.
Në vendimin e shpallur më 10 nëntor, gjyqtarët europianë bëjnë një dallim të qartë: arrestimi dhe paraburgimi fillestar i Belerit ishin të justifikuar, por vazhdimi i masës së sigurisë, të paktën nga 19 korriku 2023, përbënte shkelje të nenit 5 të Konventës, që garanton të drejtën e lirisë dhe sigurisë.
Sipas Strasburgut, gjykatat shqiptare nuk morën mjaftueshëm parasysh faktin se hetimet kishin përfunduar dhe çështja kishte kaluar për gjykim. Ato nuk argumentuan me prova konkrete përse Beleri duhej të vazhdonte të qëndronte në burg dhe përse nuk mund të zbatoheshin masa më të lehta sigurie.
Për këtë shkelje, Shqipëria duhet t'i paguajë Belerit 450 euro dëmshpërblim për dëmin jopasuror dhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore, në total 5 mijë e 450 euro. Pas këtij vendimi ka reaguar edhe Fredi Beleri, i cili thotë se zgjatja e paraburgimit i mohoi ushtrimin e detyrës si kryebashkiak I Himarës.
“Shqipëria u dënua për çështjen time Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut më dha të drejtë për kohezgjatjen e paraburgimit tim të paligjshëm. Ky vendim nxjerr në pah problemet serioze në funksionimin e institucioneve në Shqipëri dhe në respektimin e të drejtave të qytetarëve. Paraburgimi im nuk më privoi vetëm nga liria. Ai më mohoi edhe të drejtën për të bërë betimin dhe për të marrë drejtimin e Bashkisë që qytetarët më besuan. Njëkohësisht, u mohoi qytetarëve të Himarës të drejtën për të pasur kryetarin e bashkisë që ata vetë kishin zgjedhur. Vazhdojmë betejën për drejtësi dhe për të drejtën tonë, si në planin politik, ashtu edhe në atë gjyqësor.”
Megjithatë, Gjykata Europiane rrëzoi kërkesën e Belerit për kompensimin e të ardhurave të humbura gjatë kohës kur nuk mundi të ushtronte funksionin e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Vendimi nuk e shpall Belerin të pafajshëm për akuzën e korrupsionit zgjedhor, për të cilën ai është dënuar nga drejtësia shqiptare me dy vite burg. Ai lidhet posaçërisht me mënyrën se si gjykatat shqiptare arsyetuan vazhdimin e paraburgimit. (A2 Televizion)