
Kryeministri Rama nuk është mjaftuar me disa statuse ironike ditën e djeshme, por sot Rama ka thënë se të dy liderët e PD janë fajtorë dhe ishin të gatshëm për të kryer gjakderdhje.
“Dje ajo shfaqje mesjetare me SHQUPI-n e kthyer në kështjellë si pala jashtë dhe ajo brenda ishin të gatshëm për gjakderdhje për të përdorur njerëz si viktima. Si njëri, dhe tjetri, të dyja kufomat politike që e kanë marrë peng atë parti, për fat të keq ishin papërgjegjshmërisht të gatshëm për marrjen e kështjellës me gjakun e demokratëve. Që të dy ishin gati të sakrifikonin njerëz.
Ndërhyrja profesionale e policisë, shtoi Rama ishte ajo që neutralizoi përshkallëzimin e konfliktit.
“Policia dje ka pasur sfidën më të vështirë, sepse për herë të parë në historinë e vet, policia është sfiduar nga një ngjarje me potencial gjakderdhje në oborrin e një partie, jo për shkak të sulmit nga kundërshtarët, por për shkak të kacafytjes në oborr mes veti. Një kacafytje barbare. Policia e stërvitur në tërë këto vite për të përballuar këtë lloj materie politike, këtë lloj qasjeje dhe këtë lloj drejtimi politik, që e përfshin dhunën si mjet politik në agresionin ndaj godinave, dje meritoi respektin e të gjithëve dhe sot meriton një falënderim shumë të posaçëm, sepse mbajti të njëjtin standard siç e ka krijuar në mbrojtjen e godinës së qeverisë nga kjo materie, nga kjo prurje, nga kjo turmë, e cila dje ishte e ndarë përgjysmë, njëra pjesë brenda, tjetra jashtë godinës”.
Nga ana tjetër përsa i përket elektoratit të djathtë ai tha se nuk i interesojnë votat e tyre, pasi i ka mundur të dy së bashku, por e keqja sipas tij është se demokracia mori një shuplakë shumë të rëndë me atë që ndodhi.
“Unë i kam mundur të dy dhe i mund prapë të dy, madje jo të dy, por të tre, se janë tre. Nuk është personale kjo, as partiake, por është shoqërore, morale, njerëzore. Nuk mund të jemi një vend që na tregojnë me gisht si njerëz me bisht, ku del e merr dhen lajmi se mbështetësit e PD sulmuan godinën e PD. Është e paimagjinueshme, unë ndjehem i turpëruar si shqiptar, kur më marrin miq e më pyesin, se nuk e kuptojnë çfarë është. Me shkallë, me çekiç, me varre, matrapik, grushte e fikëse zjarri, me shkopinj, me gurë, e me çfarë dreqi, mungonin vetëm kovat me zink që të hidheshin lart. Duhet kapërcyer ky llum 30-vjecar, llum që shkon përtej socialistëve e demokratëve, përtej partive, përtej të gjithave. Unë rrija në shtëpi e fërkoja duart, vrafshin veten, por kjo shkatërron imazhin e vendit. Këta dy, Hoqi-Doqi, nuk janë problemi im, por i demokratëve. Unë ju them demokratëve që jemi të gjithë shqiptarë, por mbi të gjitha jemi njerëz, jo bisha, kafshë, majmunë, mesjetarë, barbarë. Politika nuk është dhe s’mund të jetë logjikë e forcës, por logjika e forcës. Nuk mund të katandiset politika në një luftë me çekiçë e fikëse zjarri syve. Ju lutem demokratëve t’iu varin teneqen të dyve dhe të gjejnë rrugën për të shpëtuar PD. Unë jam i gatshëm t’i ndihmoj, në çfarëdo qoftë”. (A2 Televizion)