Pasojat e “sfidës së përjetshme” janë ende të pranishme në stadiumin e ri kombëtar. Spektakli në fushë dhe ai në tribuna nga derbi Partizani-Tirana la pas edhe disa stola të thyer. Kur ka kaluar një muaj, stadiumi me i ri dhe me modern në vend ka ende shenjat e asaj sfide. Klubet u dënuan secili nga disiplina me 200 mijë lekë të reja gjobë si edhe detyrimin për të dëmshpërblyer stolat e thyer. Por kur kanë mbetur vetëm pak orë nga ndeshja e yjeve, turneu ndërmjet veteranëve të Shqipërisë, Italisë kampione bote në vitin 2006, Greqisë kampione e Europës të 2004-s dhe Turqisë së vendit të tretë në Botërorin 2002, dëmtimet mbeten ende të dukshme. Më e dëmtuar është tribuna jugore, Vasillaq Zëri, aty ku ishin pozicionuar Tirona Fanatics. Festa për triumfin e parë në derbi pas afro gjashtë viteve mund ta justifikojë disi dëmtimin e stolave. Ashtu sikurse në një dasmë lejohet të thyhen disa pjata, shprehja mund t’i shkonte për shtat edhe derbit, por fakti është se stolat ende nuk janë riparuar. Dëmet mbeten aty, të dukshme, duke e prishur disi imazhin e impiantit në prag të një tjetër evenimenti madhor për futbollin shqiptar. (A2 Televizion)
Pasojat e derbit, në prag të miqësores së yjeve…me stola të thyer
