Uragani “Ian” ka lënë pas shkatërrime të mëdha në Floridan e goditur një ditë më parë, ndërsa bëhet gati për të goditur tashmë edhe Karolinën e Jugut. Ndërkohë, Presidenti amerikan, Joe Biden tha se Ian mund të bëhet stuhia më vdekjeprurëse në historinë e Florida-s.
Deri tani, ende nuk ka një konfirmim për numrin e personave që kanë humbur jetën, por autoritetet kanë frikë se me qindra mund të kenë vdekur.
Me fuqi katastrofike, uragani Ian preku tokën në shtetin e Floridas pasditen e së martës, duke sjellë me vete erëra deri në 240 km në orë dhe vërshime të rrezikshme uji që përmbytën komunitete. Ai u përplas në shtetin e diellit si një stuhi e kategorisë së katërt duke e kthyer shpejt territorin e sheshtë dhe në nivel të ulët, në skenë shkatërrimi.
Erërat ulëritëse të Ian, që e bënë atë një prej stuhive më të forta që kanë goditur Shtetet e Bashkuara, u zbutën në mënyrë të konsiderueshme gjatë natës. 8 orë pas mbërritjes Ian u zhvlerësua në stuhitë e kategorisë së parë, me erëra deri në 150 km në orë. E megjithatë uragani i shtrirë dhe me lëvizje të ngadaltë, vijoi të lëshojë reshje të dhunshme që përmbytën, rrugë, automjete e banesa. (A2 Televizion)


































































































