Patozi: Kemi marrëveshje me Topallin, synojmë të jemi forcë përcaktuese qeverisëse

Nga A2 CNN
4 Mars 2021, 22:21 | Politikë
Patozi: Kemi marrëveshje me Topallin, synojmë të jemi forcë

Ndër të tjera, i ftuar në “Absolut 4” në A2 këtë të enjte, Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike, u shpreh se ka një marrëveshje edhe me Jozefina Topallin për zgjedhjet e 25 prillit.

“Me zonjën Topallin kemi arritur një marrëveshje që të mbështesim njëri-tjetrin ose të mos e dëmtojmë njëri-tjetrin në këto zgjedhje. Megjithatë, ne jemi më vete në këto zgjedhje”, tha ai.

Ndërkohë, analisti Lutfi Dervishi vlerësoi realizmin e Bindjes Demokratike teksa futet në këto zgjedhjeve. “Kemi të paktën 7-8 parti të reja që pretendojnë revolucionin, por ajo që më pëlqen te Bindja është realizmi, kur Patozi u shpreh se nuk do të shembim malet”.

Më tej, Dervishi e pyeti Patozin se kë do të donte ai të kushtëzonte pas zgjedhjeve të 25 prillit. “Sigurisht qeverinë Basha, megjithë rezervat që kam. Ne do të bëjmë detyrën tonë dhe ata të tyren. Dëshira jonë është të arrijmë rotacionin. Ne kërkojmë që listat të jenë të hapura, që pushteti i kryeministrit të kushtëzohet. Ne nuk besojmë te revolucioni. Mendojmë se Shqipëria mund të ndryshojë duke u përfshirë, duka marrë pjesë, duke e sjellë ndryshimin brenda institucioneve. Ne synojmë të jemi forcë përcaktuese qeverisëse”, tha Patozi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos