
Koordinatori i Bindjes Politike, Astrit Patozi, u shpreh se politika jonë nuk ka nevojë për Skënderbe, por për udhëheqës normal.
“Nuk ka nevojë politika shqiptare për Skënderbe dhe Hamza, por për udhëheqës normal. Po bëjmë ç’është e mundur që njerëzve t’iu hapim një dritare tjetër për të parë ndryshe politikën. Të tre aktorët kryesorë e kanë provuar pushtetin dhe opozitën. Nëse ne nuk do të ishim, ambienti politik do të ishte njësoj si në 2017-n, kur u bë një marrëveshje e fshehtë dhe e shpifur”, deklaroi Patozi.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri nuk pranohet, pasi humbësi nuk ka dëshirë që të largohet nga kryesimi i partisë: “Ne e dimë paraprakisht se rezultati nuk pranohet, pasi humbësi nuk do që të mbajë përgjegjësi dhe të ikë nga partia”.
Në një lidhje me Skype, analisti i A2, Afrim Krasniqi vuri në dukje se “partitë e reja nuk kanë kapacitet për të konkurruar në nivel kombëtar”, pasi, sipas tij, “duhet të jesh pjesë e koalicioneve dhe duhet të kesh kandidat kudo në vend”.
“Është një ligj i bërë në mënyrë të tillë që penalizon partitë e vogla”, tha Krasniqi.
Patozi u përgjigj se kjo është një sfidë e vështirë, por deklaroi se ka besim që do t’ia dalë: “Ne nuk kemi zgjedhje tjetër, është sfidë e vështirë që e kemi marrë përsipër, do t’ia dalim, edhe pse forca jonë kombëtare nuk është e ngjashme me partitë tradicionale. Nëse arrijmë ta çajmë digën, pastaj rrjedha e ujit është e pandalshme. I dimë vështirësitë tona, i dimë problemet, por do ia dalim sepse besojmë që mjafton vendosmëria, këmbëngulja, që ti jep alternativë të re. Ne ofrojmë kandidatura pa asnjë lidhje me të shkuarën komuniste; asnjë dosje korruptive nuk ka asnjëri prej nesh; secili prej nesh merr përgjegjësi, duke qenë të gjithë në listë të hapur. Do të kemi 12 kandidatë, mandatin do ta marrë ai që merr më shumë vota”. (A2 Televizion)