Patozi: S’kemi dalë të vrasim “bajlozin e zi”, por duam që kryeministrin ta fusim në “kafaz”

Nga A2 CNN
4 Mars 2021, 21:43 | Politikë
Patozi: S’kemi dalë të vrasim “bajlozin e zi”, por

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ishte i ftuar mbrëmjen e së enjtes në Absolut 4, nga ku foli për zgjedhjet e 25 prillit dhe pritshmëritë që ai ka.

Ndër të tjera, ai theksoi se problemi në Shqipëri qëndron te sistemi dhe te drejtësia, e cila nuk funksionon, sipas tij. Patozi theksoi se synimi i Bindjes nuk është rrëzimi i një personi dhe ardhja e një tjetri, por duhet ndryshuar ambienti politik, tha ai.

“Shpëtimin nuk e kërkojmë te partitë politike, por te institucionet. Diferenca mes nesh dhe Kosovës bëhet sepse ka një sistem më të hapur dhe një drejtësi më korrekte, e cila funksionon. Këtu mungon drejtësia dhe pjesa tjetër që e kemi sistemin të mbyllur dhe të kapur nga partitë kryesore. Nuk jemi as naivë dhe as patetikë. Ne nuk kemi dalë për të përmbysur malet. Ne nuk duam të gënjejmë askënd në këtë projekt politik. Ne kemi hyrë për t’i dhënë një goditje kryetarokracisë. Është një regjim që 3 persona bëjnë gjithçka në çdo kapilar të jetës në vend.

Ne nuk kemi dalë të vrasim “bajlozin” e zi, por për t’i krijuar një të çarë. Rrëzimi i një personi dhe ardhja e një tjetri nuk ndryshon gjë, por duhet ndryshuar ambienti politik. Mazhoranca që do të dalë pas zgjedhjeve duhet të ketë nevojë për ne. Ne duam që kryeministrin e Shqipërisë ta fusim në kafaz”, tha Patozi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos