
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ (KAS) ka vendosur, këtë të martë, të rrëzojë kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për shpalljen të pavlefshme të qendrës së votimit të burgut të Rrogozhinës.
Kjo QV ishte e fundit që u numërua dhe nga 122 të burgosur me të drejtë vote, shprehën vullnetin e tyre në kutinë e votimit 108 prej të dënuarve.
Nga numërimi i kutisë së burgut, kandidati i Partisë Socialiste arriti të merrte 92 vota, ndërsa 12 të tjera shkuan për opozitën, çka vendosi edhe fituesin në garën e ngushtë për kryebashkiak.
Me vendimin e sotëm, Edison Memolla është konfirmuar në detyrë si Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, duke ruajtur mandatin që fitoi në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Memolla rezultoi fitues edhe pas rinumërimit të 55 qendrave të votimit u realizua pasi dy anëtarët e propozuar nga opozita në KAS shfrytëzuan mekanizmin zhbllokues të Kodit Zgjedhor, duke vendosur hapjen e kutive bazuar në vullnetin e tyre.
Në përfundim të procesit diferenca midis Memollës dhe rivalit opozitar Shkëlqim Hoxha u ngushtua në 21 nga 30 vota që kishte shpallur KZAZ. (A2 Televizion)