PD akuzon administratorin e inceneratorit të Fierit për lidhje me zv.kryeministrin Arben Ahmetaj

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2022, 13:56 | Politikë
PD akuzon administratorin e inceneratorit të Fierit për lidhje me

Partia Demokratike akuzon administratorin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier, Loran Dusha, se ka punuar më parë në një kompani në pronësi të zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj. Kjo sipas PD-së, dëshmon lidhjet e personave të shpallur në kërkim, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, me Ahmetajn dhe implikimin e tij në çështjen e inceneratorëve.

Dusha mohoi të ketë punuar ndonjëherë në kompaninë “Hermmes Communications” bashkë me Ahmetajn dhe Klodian Zoton. “Nuk keni asnjë lidhje me këtë kompani? Atëherë na ka gënjyer QKR-ja dhe ju keni qenë përfaqësues dhe është dorëzuar në QKR një dokument i juaji i identitetit me datëlindjen 18.11.1983, Loran Dusha. Nuk keni dijeni që kompania “Hermes Communication” që ka përdorur te dhënat tuaja dhe ju ka përdorur si përfaqësues?”, tha Tabaku.

“Nuk kam dijeni për këtë çështje. Është hera e parë që po e dëgjoj”, iu përgjigj Dusha. “Besoj e kuptoni që dëshmia juaj është në betim?”, e pyeti Tabaku. “Patjetër!”, u përgjigj Dusha.

https://a2news.com/2022/02/18/dje-sot-neser-inceneratoret-shpjegim-ne-1-minute/
https://a2news.com/2022/02/18/komisioni-per-inceneratoret-sekretarja-e-ministrise-se-infrastruktures-deshmon-per-levrimin-e-parave/

Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve socialistë të komisionit, Dusha shpjegoi se inceneratori i Fierit është në proces kolaudimi dhe do të jetë gati për t’u dorëzuar në tetor 2022. “Sot, aty depozitohen mbetje nga Bashkia Fier, Patos, Lushnjë dhe Roskovec”, tha Dusha.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, kërkoi gjithashtu sjelljen me forcë nga Policia të administratores së inceneratorit të Tiranës, Ariola Kodra, e cila nuk u paraqit në komision për të dhënë dëshminë e saj për herë të dytë. “E pritëm në mëngjes, nuk erdhi. E ftuam në orën 15:00. Stafi i Kuvendit dhe posta e posaçme e Kuvendit shkuan në inceneratorin e Tiranës, i cili është i mbyllur. Punonjësi ka mbyllur derën dhe tha që nuk ndodhen asnjë nga stafi i inceneratorit i pranishëm në kantier. I kemi nisur një kërkesë tjetër me postën speciale znj. Ariola Kodra. E kemi marrë disa herë në telefon. Do ta ripërsërisim kërkesën tonë që ajo të jetë këtu pjesë. Ndërkohë që na ka sjellë një pjesë të informacionit që kërkuam ditën e premte. I bëjmë thirrje znj.Ariola Kodra, punonjësve të inceneratorit të Tiranës të hapin derën, të pranojnë shkresën e Kuvendit, janë letra zyrtare të shtetit shqiptar. Ju lutem merrni njoftimin për të ardhur për të dëshmuar!”, tha Tabaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos