PD, Çupi: Hapet rruga për ndarjen e re territoriale në shërbim të qytetarëve

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2022, 10:43 | Politikë
PD, Çupi: Hapet rruga për ndarjen e re territoriale në

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, në një deklaratë për mediat u shpreh se “vendimi i parlamentit për nisjen e punës për Reformën Territoriale, është një hap i parë shumë i rëndësishëm përpara”.

“Ne kemi ngritur grupin e punës për të nisur konsultime me qytetarët dhe ekspertët në çdo cep të vendit. Më pak shërbime, më shumë të punësuar dhe shumë para të çuara dëm. Kjo është ajo që prodhoi reforma administrative e Edi Ramës në 2014-n. Qëllimi i vërtetë i Edi Ramës nuk ishte vetëqeverisja vendore, por krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonte atij. Pasi për të, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash dhe normalisht qytetarët janë të fundit. Shpenzimet për administratën e bashkive pas ndarjes administrative janë rritur mbi 23% dhe shërbimet publike në ish-komuna janë përkeqësuar. Në pjesën më të madhe, ka zero investime në këto vite, rrugë të shkatërruara, mungesë uji, mungesë investimesh në sektorin energjitik etj. Mungesa e investimeve bën që qytetarët e zonave të thella të udhëtojnë deri në 4 orë, për të shkuar në zyrat e bashkisë”, deklaroi Çupi.

“Territori i ndarjes së re të një pjese të madhe të bashkive është në zona të thella malore, ku në pjesën më të madhe të vitit, qarkullimi është i kufizuar dhe shpesh i pamundur. Në të tjera zona ku ka më shumë mundësi për investime, duhet të presin me ditë të tëra për një dokument në bashki duke shpenzuar kohë dhe para në udhëtimet nga zona e tyre në drejtim të qendrës së qytetëve ku ndodhet njësia asministrative. Thirrja jonë është për të gjithë qytetarët dhe ekspertët që duan të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm, të na bashkohen, janë të mirëpritur, sepse të gjithë bashkë mund të krijojmë një reformë administrative në shërbim të qytetarëve kudo ku ata banojnë”, shtoi Çupi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos