PD përgatit kallëzime penale për komisionerët në Vorë, Tabaku: Vetëm ne përfaqësojmë të djathtën

Nga A2 CNN
6 Mars 2022, 11:11 | Politikë
PD përgatit kallëzime penale për komisionerët në

Partia Demokratike ka depozituar në KQZ kërkesën për thirrjen e një seance publike të komisionerit shtetëror të zgjedhjeve për situatën në qendrat e votimit në Vorë. Sipas PD-së, me 22 QV Partia Demokratike nuk është e përfaqësuar, ndërsa në 22 të tjerat janë të përfaqësuar nëpërmjet sekretarit të QV.

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, nga Vora deklaroi që përfaqësues të PS-së dhe LSI-së po bllokojnë procesin e votimit, dhe PD-ja po përgatit kallëzime penale drejt tyre për shpërdorim detyre.

“Me një vendim të paprecedentë, tre anëtarë të PS-së bashkuan votën me anëtarët e LSI-së dhe kanë refuzuar që të zbatojnë vendimin e komisionerit të zgjedhjeve, të marrë gjatë ditës së djeshme, për emërimin e komisionerëve të PD-së dhe vendimin e Kolegjit të Apelimit të marrë mbrëmë në orën 02:00 të natës. Ndërkohë që flasim, në qendrat e votimit janë emëruar 22 sekretarët të cilët i përkasin PD-së dhe akoma nuk ka një vendim për kryetarët të cilët i përkasin po PD në 22 qendrat e tjera”, deklaroi ajo.

 Ajo shtoi se “ka vetëm një subjekt që përfaqëson të djathtën shqiptare, të tjerat janë të gjithë bashkë kundër PD-së”.

Ka pretendime që PD-ja ka sjellë në Vorë nga Tirana dhe Kamza, por Tabaku e mohon. “Nuk i kemi marrë nga Kamza. Kemi sjellë komisionerë të rinj të trajnuar për procesin e votimit elektronik, për ta kapërcyer këtë problem, nga momenti që Vora e ka për herë të parë. Kemi vënë re problematika për votimin elektronik, madje edhe votim familjar”, tha ajo.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos