PE miraton rezolutën: Ujdia finale Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër

Nga A2 CNN
6 Korrik 2022, 18:51 | Kosova
PE miraton rezolutën: Ujdia finale Kosovë-Serbi me njohjen reciproke

Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Kosovën të përpiluar nga raportuesja, Viola von Cramon. Në të thuhet se marrëveshja përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të bazohet në njohje të ndërsjellë.

Raporti u miratua me 469 vota pro, 96 kundër dhe 72 abstenim, pa rrëzuar asnjërin prej amendamenteve të propozuara. Kjo është hera e parë që njohja reciproke konfirmohet si qëllimi final i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në një dokument të institucioneve kryesore të Unionit Europian.

Deputetja gjermane, Von Cramon, në raportin e saj bën thirrje dhe për liberalizimin e vizave pa vonesa për qytetarët e Kosovës. Në fjalimin e saj theksoi se shpreson që kjo të jetë hera e fundit që përmend dështimin e Bashkimit Europian lidhur me këtë vendim.

Shumica e ligjvënësve europianë mbështetën liberalizimin e vizave për Kosovën, me përjashtim të disa deputetëve nga e djathta ekstreme. Megjithatë rezolutat e miratuara nga PE nuk janë dokumente detyruese për shtetet e Bashkimit Europian.

Mes tjerash, Von Cramon në raportin e saj për Kosovën kërkon që të vazhdohet procesi I reformave dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, në të njëjtën seancë, Parlamenti Europian miratoi dhe raportet për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Në dokument, Beogradit I kërkohet që të përqafojë vlerat e BE-së dhe të harmonizojë politikën e jashtme me atë të bllokut, duke I vendosur sanksione Rusisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos