Pendohet Bill Gates: Nuk duhet të kisha darkuar me Jeffrey Epstein

Nga A2 CNN
31 Janar 2023, 11:21 | Bota
Pendohet Bill Gates: Nuk duhet të kisha darkuar me Jeffrey Epstein

Themeluesi i Microsoft, Bill Gates, duket se është penduar për miqësinë me financierin e akuzuar për pedofili, Jeffrey Epstein, i cili pas arrestimit vrau veten në burg. Gjatë një interviste për një televizion australian, Gates tha se nuk duhet të kishte darkuar me Epstein.

Sipas një raportimi të “New York Times”, Gates dhe Epstein ishin takuar disa herë që prej vitit 2011. Por Gates ka deklaruar më parë për CNN se takimet kanë qenë vetëm darka pune për të diskutuar rreth ndonjë mundësie për të bërë bamirësi.

Epstein ishte dënuar me 18 muaj burg për shfrytëzim prostitucioni në vitin 2008, para se të takohej me Gates. I pyetur nga gazetarja Sarah Ferguson nëse ishte penduar për marrëdhënien me Epstein, pavarësisht këshillave të ish-bashkëshortes Melinda, miliarderi tha: “Po ktheheni pas në kohë, e kam thënë qindra herë, nuk duhet të kisha darkuar me të”.

Gates gjithashtu mohoi të ketë pasur ndonjë lidhje mes Epstein dhe fondacionit që ai drejton bashkë me ish-bashkëshorten. Të njëjtat komente, Gates i pati bërë edhe në një intervistë me CNN në gusht 2021. “Ishte gabim që të kaloja kohë me të, duke i dhënë besueshmëri”, tha Gates asokohe gjatë bisedës me Anderson Cooper.

Prokurorët federalë në Nju-Jork e akuzuan Epstein për ngritjen dhe administrimin e një rrjeti të trafikimit seksual, ku ai kishte abuzuar dhjetëra vajza të mitura. Financieri u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Nju-Jorkut në gusht 2019 dhe mjekësia ligjore e quajti vetëvrasje me varje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos