Janari i vitit 2020 për NBA ishte ai i një humbje të madhe, atë të Kobe Bryant dhe vajzës së tij në një aksident ajror. Viti 2021 fillon për kampionatin më të bukur të basketbollit me një ngjarje historike, në mënyrën e saj. Për herë të parë, një femër arrin të drejtojë një nga ekipet e atij kampionati.
Një ekip me emër, si San Antonio Spurs, që në fund të pjesës së dytë gjatë ndeshjes kundër Los Angeles Lakers, pa debutimin në vendin drejtues më të rëndësishëm të 43-vjeçares Becky Hammon. Trajneri i Spurs Gregg Popovich, një mit i NBA-së, sapo ishte përjashtuar nga protestat e shumta, dhe Becky-t iu desh të merrte përgjegjësinë totalisht mbi supet e veta.

Pothuajse një legjendë në basketbollin për femra, ku në vitet 2000 ka qenë gjithmonë në majat e renditjeve të kampionatit WNBA, Hammon kishte hyrë në ekipin e Popovich në vitin 2014, duke marrë drejtimin në disa ndeshje miqësore, por asnjëherë në një ndeshje zyrtare, ashtu si asnjëherë një mundësi e tillë i kishte ndodhur kolegeve të saj në historinë e NBA.
“Ishte një moment i veçantë, do ta cilësoja si historik. Por një moment më pas i thashë vetes, tani vendos ti”, ishin fjalët e Hammon.
Ngjarja i bëri përshtypje edhe kundërshtarëve, duke filluar nga “ylli” Lebron James, që pati fjalë të mira për trajneren kundërshtare.
“Ka punuar shumë. Dhe kur punon shumë shpërblehesh, sepse të dalin përpara mundësi të ndryshme. Ishte shumë e bukur të dëgjoje si thërriste ekipin, si e drejtonte, ka shumë pasion dhe e përgëzoj shumë”, deklaroi ai.
Ndeshja përfundoi me një fitore 121-107 pikërisht të Lakers, por ndeshja do të kujtohet gjithmonë për ato 28 minuta që kanë ndryshuar historinë gjinore të basketbollit profesionist amerikan. (A2 Televizion)