Çmimet e reja të bordit, nafta zbret në 231 lekë/litri. Rritet benzina

Nga A2 CNN
1 Prill 2022, 12:20 | Aktualitet
Çmimet e reja të bordit, nafta zbret në 231 lekë/litri.

Çmimi i naftës ka pësuar rënie me 6 lekë. Bordi i Administrimit ka bërë publik çmimet e reja të karburanteve, ku nafta do të tregtohet me 231 lekë për litër, nga 237 një ditë më parë. Benzina ndërkohë është rritur me 1 lekë dhe nga sot do të tregtohet me 212 lekë për litër. 

Gazi, në pikat e shitjes me pakicë, do të tregtohet me 115 lekë për litër, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrialë, çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën. 

Çmimet e reja të përcaktuara nga Bordi i Transparencës reflektojnë tendencën rënëse të çmimit të naftës në bursa këto dy ditët e fundit. Në tregjet ndërkombëtare, 1 fuçi naftë sot kap vlerën e 105 dollarëve. Çmimet e reja tavan do të jenë në fuqi deri më datë 2 prill.  

Çmimet e karburanteve pritet të kenë një rënie të lehtë dhe në ditët në vazhdim, pasi Presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar lëshimin e rezervave të naftës për të zbutur krizën e shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë.

Nafta kapi vlerën më të lartë në fillim të muajit mars, deri në 139 $ për fuçi, përballë sanksioneve të vendosura ndaj Moskës. Por, që nga kjo kohë, çmimet kanë pësuar rënie edhe pse nafta e papërpunuar është 70% më e shtrenjtë se një vit më parë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos