
Gjykata e Durrësit ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të konfiskuar një hotel në plazhin e Durrësit, me vlerë 1 milion euro. Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN bëhet fjalë për hotelin “Colombo”. Hoteli është në emër të shtetasit Pëllumb Tuda, i njohur edhe si Pali Tuda, një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare.
Prokuroria thotë se kërkesa për konfiskimin e hotelit bazohet në 3 pika
Së pari: Ekziston përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi P.T., është i përfshirë në veprimtari kriminale të “Pastrimit i produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, “Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i K.Penal, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i K.Penal dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, parashikuar nga neni 278 i K Penal, pasi ndaj këtij shtetasi është ngritur akuzë për kryerje të kësaj vepre penale dhe është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Së dyti: Shtetasi P.T., zotëron drejtpërsëdrejti në emër të tij pasuritë, objekt konfiskimi. Shtetasi P.T., përfshihet në rrethin e subjekteve, mbi pasuritë e të cilëve shihen nga dispozitat e Ligjit Antimafia nenet 3/1 dhe 2/a.
Së treti: Provohet që vlera e pasurive nuk i përshtatet dukshëm nivelit të të ardhurave, nuk i përgjigjen ndonjë aktiviteti të ligjshëm të deklaruar apo të konfirmuar”.
Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN, hoteli ishte kthyer në një vatër prostitucioni në Durrës, duke gjeneruar të ardhura të shumta, me të cilat, pronari i tij kishte arritur të ndërtonte edhe dy pallate të tjerë në qytet. (A2 Televizion)