
Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se ka vënë në pranga një person, ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi dyshohet se kanosën një qytetar që t’u jepte 150 mijë paund.
Mësohet se në pranga është vënë Vasel Kocaku, 29 vjeç, banues në Malësi të Madhe, ndërsa policia po punon për arrestimin e Omer Brahos, 39 vjeç, banues në Shkodër.
Policia ka nisur veprimet pasi ka marrë një denoncim nga shtetasi T. M., se dy persona e shantazhonin dhe e kërcënonin për jetën, që t’u jepte një shumë parash.
“Falë veprimeve profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, brenda pak orësh, është bërë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
- V. K., 29 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, si dhe u shpall në kërkim shtetasi O. B., 39 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" kryer në bashkëpunim.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas kanë shantazhuar dhe kanosur për jetën, shtetasin T. M., për t’u dhënë atyre 150 000 paund”, njofton policia.
Ndërkohë, mësohet se Vasel Kocaku dhe Omer Braho pretendojnë se vëllai i shtetasit T.M. u ka vjedhur të afërmve të tyre në Angli një shumë parash në banesë. (A2 Televizion)