








Policia e Shkodrës njoftoi se ka sekuestruar 2 armë zjarri, 3 mina me telekomandë, 1 kg e 600 gramë lëndë eksplozive C4, 2 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 bllokues valësh, 2 radio si të Policisë dhe fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme.
Gjithashtu, u arrestuan 2 persona, 1 tjetër u shpall në kërkim, ndërsa 2 të tjerë po procedohen penalisht në gjendje të lirë.
Policia tha se kjo ishte faza e fundit e operacionit “Qarku” të zhvilluar në Shkodër, si rezultat i të cilit më parë janë sekuestruar 270 kg kanabis, 476 bimë narkotike, pajisje për përpunimin e kanabisit, sasi të ndryshme kokaine, 1 armë zjarri, 1 armë sportive, etj.
Sipas policisë, këto armë dhe lëndë plasëse do të përdoreshin për ngjarje të ndryshme kriminale. "Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, pasi dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë në qarkun Shkodër, por jo vetëm", tha drejtori i Drejtorisë i Policisë Shkodër, Drejtues i Parë Hamdi Fjora. (A2 Televizion)