Southampton duket se po përdor një taktikë që vihet në zbatim nga minuta e 60 deri në minutën e 70.
Skuadra ku luan Armando Broja ushtron një presing të lartë pothuajse në të gjithë ndeshjen dhe për këtë i duhen shumë energji. Për të ruajtur intensitetin, ekipi i drejtuar nga Ralph Hasenhuttl duhet të qëndrojë gjithmonë i hidratuar dhe të marrë kaloritë e duhura.
Sipas një vëzhgimi të “The Athletic”, në 14 nga 24 ndeshjet e Premier League këtë sezon, njëri prej lojtarëve të Southampton është ndalur dhe ka kërkuar trajtim nga fizioterapisti në fushë. Dhe kjo gjë gjithmonë ka ndodhur në intervalin midis minutës së 60 dhe të 70.
Mendohet se arsyeja që njëri prej lojtarëve shtrihet në fushë është që shokët e tij të marrin lëngjet e nevojshme, si dhe një xhel që është i pasur me karbohidrate.
Ajo që bie në sy është se kjo taktikë vihet në jetë vetëm kur rezultati i ndeshjes është i hapur. Për shembull, në humbjen 4-0 ndaj Liverpool, asnjëri prej lojtarëve nuk kërkoi ndihmë në fushën e lojës.
Ish-fizioterapisti i Wolverhampton, Phil Hayward, shpjegon: “Jam i sigurt që shkencëtarët e sportit ia kanë rekomanduar trajnerit dhe ai e ka miratuar këtë taktikë. Kjo tregon që stafi mjekësor dhe ai teknik kanë bashkëpunim të mirë”. (A2 Televizion)