Lionel Messi ka “tradhtuar” PSG-në në ndeshjen e parë me eliminim direkt ndaj Realit të Madridit në kryeqytetin francez, por ndërsa një yll venitet, një tjetër shkëlqen fuqishëm. Ai është Mbappe.
Kampionët e Francës dominuan totalisht 90 minutat. Messi, Mbappe, në pjesën e dytë edhe Neymar, u përballën me murin e ndërtuar nga “arkitekti” italian Carlo Ancelotti dhe me një super Courtois.
Belgu ndali çdo top që iu drejtua portës në kohën e rregullt, madje edhe atë të minutës së 61-të, kur Lionel Messi ekzekutoi një 11-metërsh, por nuk mundi të shënonte. Në minutën 94-t, Mbappe, i asistuar nga Neymar, realizoi një gol fantastik. Tashmë francezët do të shkojnë më të qetë në ndeshjen e kthimit të 9 marsit në Madrid.
Ndërkohë, Manchester City e ka hipotekuar që në ndeshjen e parë kualifikimin ndaj Sportingut të Lisbonës, ku fitoi në transfertë me rezultatin e thellë 0-5. (A2 Televizion)