
Shqiptarët e konsumojnë kripën dy deri tri herë më shumë se normat e lejuara. Vlerësimi i situatës është bërë nga ekspertë të shëndetit publik, të cilët theksojnë se edhe fëmijët janë përdorues të lartë të kripës, produkt që marrin jo vetëm nga ushqimet e gatuara, por edhe ato të gatshme, si patatinat dhe produktet e tjera të paketuara.
“Duke ndjekur vetëm kripën e jodizuar, e cila me ligj duhet të jetë i vetmi produkt kripe në Shqipëri, ne jemi dyfishi i rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga 5 gramë që duhet përdorur në ditë, ne përdorim 10 apo më shumë, duke llogaritur edhe atë sasi kripe që qarkullon në mënyrë të paligjshme. Nuk duhet të lejojmë më te fëmijët ushqime me përmbajtje të lartë kripe”, thotë Alban Ylli, një nga autorët e studimit.
Ai shton se Instituti i Shëndetit Publik ka gati paketën e propozimeve ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera për mënyrën sesi të reduktohet konsumimi i kripës në popullsinë shqiptare.
“E para është ndërgjegjësimi i popullatës. Nga fëmijët, tek të moshuarit, duhet të dinë që konsumi i tepërt i kripës shkakton hipertension, deri te goditjet cerebrale. Të vendoset niveli i kripës në etiketën e produktit si dhe të ekzistojnë taksa për produktet me përmbajtje të lartë kripe”, thotë Ylli.
Mjekët e cilësojnë kripën armikun e shëndetit dhe të jetëgjatësisë. Përdorimi i tepërt i saj nxit hipertensionin dhe sëmundje të tjera kronike. (A2 Televizion)