
SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kundërshtojnë nismën e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për përgjimet dhe krijimin e komitetit antikrim.
Në sugjerimet e dërguara për ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme e cilëson antikushtetues ngritjen e komitetit antikrim në varësi të ministrit të Brendshëm, i cili do të përfshijë edhe dy organe të pavarura të cilat nuk japin llogari para ekzekutivit si prokuroria dhe SPAK.
Krahas kësaj, një tjetër pikë, e cila sipas sugjerimeve të prokurorisë duhet ndryshuar tërësisht, është dhe ajo e përgjimeve. Sipas projekligjit i jepet e drejta që përgjimet të kryhen dhe nga drejtorët e policive vendore ndërsa nuk parashikohet një mekanizëm kontrollues siç është prokuroria.
Sipas prokurorisë, dhënia e së drejtës së përgjimit të punonjësit të policisë jashtë kontrollit të gjykatës si dhe mos përcaktimi qartë në projektligj se çfarë vlere provuese do të kenë faktet e konfirmuara nga Policia e Shtetit, përbën një shkelje serioze të lirive e të drejtave të njeriut.
Gjithashtu në dokument kundërshtohet dhe propozimi për procedimin policor dhe veprimet gjurmuese hetimore duke zhdukur urdhërimin se të gjitha këto veprime kërkojnë autorizim nga prokurori.
Sipas prokurorisë kjo bie ndesh me Kodin e Procedurës, pasi të drejtën e hetimit e ka vetëm prokuroria dhe jo policia. Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit janë në fazën e diskutimeve në komisionin e sigurisë. (A2 Televizion)