Përgjysmohet rritja ekonomike, ministrja e kënaqur

Nga A2 CNN
2 Korrik 2019, 14:51 | Ekonomi
Përgjysmohet rritja ekonomike, ministrja e kënaqur

Ndërsa shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave flasin për një rritje 2.2% në tremujorin e parë të këtij viti, të përgjysmuar kundrejt fundit të vitit 2018, ministrja e Financave, Anila Denaj e ka vlerësuar pozitive këtë ecuri të ekonomisë, pavarësisht ndikimit negativ që po jep sektori i energjisë, për shkak të thatësirës dhe mungesës së prodhimit.

“Disa sektorë si bujqësia dhe energjia reflektuan më shumë efekte sezonale të thatësirës së fillimvitit duke zbutur kontributin e 3-mujorit të parë në rritjen vjetore. Ndryshimet pozitive të 3-mujorit të dytë në sektorin e energjisë pritet që të normalizojnë kontributin vjetor në rritjen ekonomike që pritet të mbetet brenda parashikimeve të vitit”, tha Denaj.

Ministrja e Financave evidentoi se risqet në ekonomi janë shtuar, ku më i ndjeshmi për momentin është kriza politike.

Qeveria ka parashikuar këtë vit një rritje ekonomike mbi 4%, më lart se vlerësimet që bëjnë partnerët ndrëkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, që i qëndrojnë një shifre 3.7-3.8%.

Ecuria e tremujorit të parë tregoi se ekzekutivi nuk është aspak realist në objektivin që i ka vendosur vetes.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos