Përhapja e variantit Delta, 7 qytete australiane i rikthehen izolimit

Nga A2 CNN
30 Qershor 2021, 11:36 | Bota
Përhapja e variantit Delta, 7 qytete australiane i rikthehen izolimit

7 qytete australiane janë në izolim, ndërsa autoritetet përpiqen të parandalojnë përhapjen e variantit Delta, i cili ka transmetueshmëri shumë të lartë. Një rritje e lehtë e shifrave u raportua të mërkurën për një total prej 200 rastesh. Gati gjysma e popullsisë apo më shumë se 12 milionë banorë; duhet t’i binden urdhrit për të qëndruar në shtëpi, në Sidney, Brisbane, Perth, Darwin, Townsville dhe Bregu i Artë.

Kryeministrja e Kuinslend kërkoi të ndalohen udhëtimet ndërkombëtare, pasi besohet që virusi ka mbërritur nga një person që udhëtonte nga Indonezia për çështje pune.

Jack Sacks, Banor: “Mendoj se është shqetësuese. Jam i shqetësuar, kështu mendoj se kjo është zgjidhja e duhur”.

Autoritetet druhen se virusi mund të përhapet tani te komuniteti indigjen, i cili është edhe më i cenueshëm. Rreth vendit, liderët shtetërore flasin për një situatë që pritet të shpërthejë nga momenti në moment, me rritjen e numrit të rasteve. Shumë prej tyre, kërkojnë vaksinim më të shpejtë, pasi vetëm 5 për qind e popullsisë është vaksinuar plotësisht.

Megjithatë, besimi te vaksina kryesore në vend, AstraZeneca është i ulët. Australia e kishte frenuar transmetimin e Covid-19, përgjatë të gjithë vitit përmes masave të rrepta si mbyllja e kufijve, apo sistemi agresiv i gjurmimit. Por shkelja e karantinës krijoi çarje të theksuara në mbrojtjen e vendit. Po ashtu, nuk po ndihmon as mosvaksinimi i popullsisë, me kryeministrin Scot Morrison që është kritikuar për fushatën e ngadaltë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos