Përkeqësohet edhe më shumë situata në kufirin midis Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë, ku mijëra emigrantë kryesisht nga Lindja e Mesme ndodhen aktualisht në mëshirën e fatit.
Autoritetet policore boshnjake njoftuan vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 18 të tjerëve pas një përleshje midis refugjatëve nga Pakistani dhe ato nga Afganistani. Ngjarja ka ndodhur në Bihaç, në kufirin me kufirin e BE-së që refugjatët kërkojnë të kalojnë prej muajsh.
Vendimi i autoriteteve lokale për të zbrazur disa kampe duke transferuar pjesë të emigrantëve në kampe të tejmbushura, po ngre dita ditës tensionin në atë zonë, duke evidentuar një mungesë organizimi të vendit ballkanik, pavarësisht financimeve të Bashkimit Europian.

Janë më shumë se 10 mijë emigrantët nga Lindja e Mesme që ndodhen në Bosnje Hercegovinë.
Organizata si IOM dhe Amnesty International kanë denoncuar kushtet e mijëra prej tyre, që duket sikur janë totalisht të braktisur nga vëmendja e autoriteteve. “Me temperaturat që po ulen, autoritetet duhet të bëjnë hapa konkrete për të siguruar që emigrantët të mbijetojnë gjatë dimrit, dhe mos të luajnë me jetën e tyre për synime politike. Kjo mund të ketë pasoja katastrofike”, denoncon Amnesty International.
(A2 Televizion)