
Gjithçka e nënshkruar në Bruksel duhet të zbatohet. Kështu u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke iu referuar marrëveshjeve të firmosura mes Prishtinës dhe Beogradit në procesin e dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. I pyetur lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë dhe qëndrimin e zëdhënësit të qeverisë gjermane, Stefan Seibert, se gjithçka e nënshkruar duhet të realizohet në përputhje me rregulloret e Kosovës, Vuçiç dha këtë përgjigje.
“Gjithçka që është nënshkruar në Bruksel duhet të implementohet, por jo në përputhje me rregulloret e Kosovës, sepse nëse gjithçka shikohet në atë mënyrë, atëherë duhet të jetë në përputhje edhe me rregulloret e Serbisë. Zbatimi duhet të ndodhë pa ndryshuar asgjë, pasi do të jetë e pamundur të arrihet ndonjë kompromis”, tha Vuçiç.
Presidenti serb shtoi se nuk i shikon shqiptarët në Kosovë si kundërshtarë, ndërsa theksoi se palët nuk janë afër marrëveshjes finale për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. “Ne duam të kemi paqe me shqiptarët. Shpresoj që një ditë do të jemi në gjendje të jemi më afër një marrëveshje sesa sot”, tha Vuçiç.
Ndërkohë, për dialogun Prishtinë-Beograd ka folur edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili akuzoi qeverinë e Kosovës për kushtëzim të bisedimeve në Bruksel. (A2 Televizion)