
Prej ditësh thuajse e gjithë kurora e gjelbër e Vlorës ndodhet nën pushtetin e flakëve, duke shënuar kështu një situatë të paprecedentë. Me gjithë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, atyre të ushtrise, njësive administrative dhe banoreve të zonës, sërish situata mbetet problematike.
Deri më tani janë shkrumbuar mbi 350 hektarë me shkurre dhe pyje, ndërsa zjarret nuk kanë të ndalur. Mesditën e kësaj të hëne flakët i janë afruar edhe bazës ushtarake detare te Pasha Limanit, ku në gatishmëri ndodhet një zjarrfikëse e forcave të armatosura. Forcat që janë në terren prej më shumë se 12 ditësh duket se nuk po arrijnë dot të vënë nën kontroll flakët, ndërsa ndërhyrja nga ajri gjatë ditës së diel nuk ka ndikuar fare në përmirësimin e situatës.
Ndërkohë në rrezik është edhe Pylli i Parkut Kombëtar të Llogorasë, dhe vetëm falë drejtimit të erës kjo zonë nuk është përfshirë nga flakët deri më tani. Terreni i vështirë e bën thuajse të papërfillshme punën e efektiveve në terren, të cilët po përpiqen të hapin kanale për të minimizuar përhapjen e flakëve. 3 vatra në Karaburun, dy vatra në Radhimë dhe një në Tragjas, po vijojnë ende të djegin sipërfaqe të tëra të favorizuara edhe nga era. (A2 Televizion)