
Liderët e vendeve më të fuqishme të NATO-s konfirmuan mbështetjen afatgjatë për Ukrainën. Presidenti amerikan, Joe Biden, në fund të samitit të Aleancës, njoftoi se G7-a do të ndihmojë Kievin në krijimin e një mbrojtje të fortë, tokë, ajër dhe det.
“Anëtarët e G7-ës kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Ukrainës dhe po e bëjnë të qartë se mbështetja jonë do të zgjasë për shumë gjatë në të ardhmen. Kjo nis një proces, në të cilin çdo shtet anëtar dhe ndonjë tjetër që dëshiron të marrë pjesë, do të negociojë përkushtime afatgjata bilaterale sigurie me dhe për Ukrainën. Ne do të ndihmojmë Ukrainën që të ndërtojë aftësi të fuqishme mbrojtëse në tokë, ajër dhe det, që do të jetë një forcë stabiliteti në rajon dhe mburojë kundër çdo kërcënimi”, u shpreh presidenti i SHBA, Biden.
Scholz: Ndihmojmë Ukrainën edhe në paqe e fitore
“Ne kemi arritur një sërë marrëveshjesh për trajnimin e ushtarëve ukrainas, bëhet fjalë për një numër të madh dhe kjo do të vazhdojë. Ne nuk do të ndalemi këtu. Sigurisht që do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Ukrainën, edhe nëse përfundimisht do të mbizotërojë paqja dhe Ukraina të ketë mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj”, deklaroi kancelari gjerman Scholz.
“Nuk jemi një dyqan online”, Sunak “rrëzon” ministrin e tij: Ukraina na falënderon
“Presidenti Zelensky ka shprehur mirënjohjen e tij për atë që kemi bërë në disa raste, psh. në fjalimin e tij tepër emocionues që bëri në parlament në fillim të këtij viti. Dhe ai më ka falënderuar përsëri, siç ka bërë herë të panumërta kur e kam takuar. Kështu që unë e di që ai dhe njerëzit e tij janë jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka treguar dhe për mirëseardhjen që u kemi ofruar shumë familjeve ukrainase”, tha Sunak. (A2 Televizion)