Përpjekja për t’u futur në kokën e Putinit

Nga A2 CNN
21 Mars 2022, 14:55 | Bota

Udhëheqësi rus, Vladimir Putin, ka ngecur në një botë të izoluar për shkak të situatës që ai vetë nxiti - besojnë spiunët perëndimorë. Dhe kjo i shqetëson ata...

Për vite me radhë, ekipet e Inteligjencës së Huaj, perëndimore dhe amerikane, kanë kërkuar "të futen në mendjen e Putinit", për të kuptuar më mirë qëllimet e tij. Teksa trupat ruse duket se janë bllokuar në Ukrainë, nevoja për të ditur synimet e tij, është bërë edhe më e nevojshme, pasi iu duhet të analizojnë se si lideri rus mund të reagojë nën presion. Të kuptuarit e gjendjes së tij, do të jetë thelbësore për të shmangur përshkallëzimin e luftës.

Ka pasur spekulime edhe se Vladimir Putin mund të jetë i sëmurë, por shumë analistë besojnë se ai në fakt është bërë i mbyllur me botën e jashtme, për arsye të ndryshme. Paranojat e tij kanë qenë të dukshme edhe gjatë takimeve zyrtare – i tillë ishte rasti kur takoi presidentin Emmanuel Macron, duke e ulur atë në skajin tjetër të largët të tavolinës. E njëjta skenë u pa edhe gjatë mbledhjes me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, në prag të luftës.

Vendimmarrës i vetëm

Sipas burimeve të inteligjencës amerikane, Putini vendos vetë për shumë çështje, duke mos marrë parasysh as sugjerimet e njerëzve të tij më të ngushtë. Në një situatë të tillë, sfida mbetet të kuptojmë se çfarë mund të bëjë më pas lideri rus.

“Sfida e të kuptuarit më tepër mbi lëvizjet e radhës të Kremlinit, qëndron në faktin se Putini është vendimmarrësi i vetëm në Moskë.”

John Sipher, ish-drejtues i operacioneve të CIA-s në Rusi

Putin, thonë zyrtarët e inteligjencës, është i izoluar në një flluskë të krijuar prej tij, në të cilën depërtojnë shumë pak informacione të jashtme.

"Ai është viktimë e propagandës së tij, në kuptimin që ai dëgjon vetëm një numër të caktuar njerëzish dhe censuron gjithçka tjetër. Kjo i jep Putinit një qasje të çuditshme ndaj botës. Rreziku qëndron në atë që në psikologji njihet si "mendim në grup", ku secili përforcon pikëpamjen e tij. Nëse ai është viktimë e grupit, duhet të dimë se kush është grupi."

Adrian Furnham, profesor psikologjie
https://a2news.com/2022/03/03/brenda-rrethit-te-ngushte-te-vladimir-putin/

Më parë, A2 CNN ka shkruar edhe për rrethin e ngushtë të Putinit, me të cilin ai bisedon dhe këshillohet. Duhet thënë, se ky rreth nuk ka qenë kurrë i madh, por kur vendosi për të pushtuar Ukrainën, ishte i detyruar të planifikonte skemën e mësymjes me një grup të besuarish. Mirëpo, që prej momentit kur Putini vendosi të sulmojë Ukrainën, u vu re se rrethi i tij i brendshëm po bëhej gjithnjë e më i vogël. E kjo u pa qartë në mënyrën se si ai u soll publikisht me kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, në mbledhjen e sigurisë kombëtare pak para pushtimit. 

Ata që e kanë vëzhguar liderin rus prej kohësh, thonë se ai është i shtyrë nga dëshira për të rikthyer një Rusi të lavdishme, dhe është i bindur se Perëndimi po kërkon të nënshtrojë Rusinë, duke e larguar atë nga pushteti. Një person që e takoi Putinin, kujton fiksimin e tij për të parë  videot e vrasjes së kolonelit libian Gaddafi, pasi ai u dëbua nga pushteti në vitin 2011.

A është i çmendur presidenti rus? 

Kjo është një pyetje që e kanë bërë shumë në Perëndim. Ekipet që përpiqen të kuptojnë psikologjinë e liderëve që urdhërojnë nisjen e konflikteve dhe luftërave, datojnë që nga orvatjet për të kuptuar diktatorin nazist, Hitler. Ata studiojnë rrethanat historike, si dhe shëndetin e liderëve, duke u mbështetur në inteligjencën sekrete.

Burime të tjera për të interpretuar sjelljet e Putinit, janë edhe kontaktet e drejtpërdrejta që ai ka pasur me liderët e shumtë. Në vitin 2014, Angela Merkel thuhet se i tha Presidentit Obama se zoti Putin po jetonte "në një botë tjetër". Presidenti Macron kur u takua me Putinin së fundmi, u tha se ishte përballur me një udhëheqës rus "më të ngurtë, më të izoluar", krahasuar me takimet e mëparshme. Disa spekulojnë, pa shumë prova, për sëmundje të mundshme ose ndikimin e ilaçeve. Të tjerë, analizojnë faktorë psikologjikë, të tilla si ndjenja se po i vjen fundi epokës së tij politike dhe se ende nuk ka arritur të përmbushë atë që ai e sheh si "misionin" e tij për të mbrojtur Rusinë. 

Udhëheqësi rus është izoluar dukshëm nga të tjerët edhe gjatë pandemisë Covid dhe kjo gjithashtu mund të ketë pasur një ndikim psikologjik.

"Putini ka të ngjarë të mos jetë i sëmurë mendor dhe as nuk ka ndryshuar. Megjithatë, është më i nxituar dhe kjo ka të ngjarë ta bëjë atë më të izoluar."

Ken Dekleva, ish-mjek dhe diplomat i qeverisë amerikane

Një zyrtar perëndimor tha se Putin mund të mos ketë ende njohuri se sa keq po shkojnë gjërat për trupat e tij në Ukrainë, që po hasen me shumë vështirësi dhe humbje. Kjo është shqetësuese, pasi nuk dihet se si mund të reagojë ai kur të marrë informacionet e sakta dhe kur Rusia të përballet edhe më tej me pasojat e luftës dhe sanksioneve ekonomike.

Teoria e të çmendurit

Vetë Putin tregon historinë e ndjekjes së një miu kur ai ishte djalë. Kur e kishte futur në një qoshe, miu reagoi duke e sulmuar, duke e detyruar Putinin të largohej. Pyetja që bëjnë politikanët perëndimorë tani është çfarë mund të bëjë Putin nëse ndihet i bllokuar?

Frika është se ai mund të përshkallëzojë luftën, duke përdorur edhe armë kimike apo edhe një armë taktike bërthamore. Vetë Putin mund ta theksojë idenë se është i rrezikshëm apo edhe irracional - kjo është një taktikë e njohur (shpesh e quajtur teoria e "të çmendurit") në të cilën dikush që ka akses në armët bërthamore përpiqet ta bëjë kundërshtarin e tij të tërhiqet, duke i bindur ata që ai mund të jetë aq i çmendur, sa mund t'i përdorë ato pavarësisht se të gjithë do të humbitnin.

https://a2news.com/2022/03/09/po-luan-blofin-ekspertet-analizojne-kercenimet-berthamore-te-putinit/

Për spiunët dhe politikëbërësit perëndimorë, të kuptuarit e synimeve dhe mendësisë së Putinit, është shumë e rëndësishme. Parashikimi i vendimeve të tij është thelbësor për të parashikuar se sa larg mund të shkojë ai.

"Putini nuk lejon dështim apo dobësi. Ai i përbuz gjëra të tilla. Një Putin i dobësuar është një Putin më i rrezikshëm. Ndonjëherë është më mirë ta lini ariun të ikë nga kafazi dhe të kthehet në pyll."

Ken Dekleva, ish-mjek dhe diplomat i qeverisë amerikane

Marrë nga BBC (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos