Një nga diamantet më të rralla dhe më të vlefshme në botë, me peshë 21.25 karat, ishte në qendër të një grabitjeje kinematografike në Dubai, por që zgjati shumë pak.
Diamanti rozë, i njohur për qartësinë, simetrinë dhe shkëlqimin e tij unik, u vodh nga një dyqan bizhuterish nga një bandë që hiqeshin si ndërmjetës për një blerës të supozuar.
Sipas CNN, banda e kishte studiuar operacionin për më shumë se një vit. Ata gjurmuan rrugën e gurit të çmuar nga Evropa dhe hartuan një plan të detajuar. Për t'u dukur bindës, anëtarët e saj morën me qira makina luksoze, organizuan takime në hotele prestigjioze dhe madje punësuan një ekspert gurësh të çmuar për të certifikuar vërtetësinë e diamantit.
Momenti vendimtar erdhi kur autorët e krimit arritën ta bindnin tregtarin që ta transportonte diamantin në një vilë, gjoja për t'ia paraqitur blerësit. Sapo u shfaq guri i çmuar, banda e rrëmbeu atë dhe iku me vrap.
Megjithatë, autoritetet vepruan shpejt. Brenda pak orësh, ata arritën të identifikonin tre të dyshuar, t'i gjurmonin dhe t'i arrestonin, përpara se diamanti të transportohej jashtë Dubait.
Objekti i vlefshëm iu kthye pronarit të tij, i cili nuk e fshehu habinë e tij nga shpejtësia e veprimeve të policisë.
"Për habinë time të madhe, të nesërmen në mëngjes ata më njoftuan se të dyshuarit ishin arrestuar tashmë dhe diamanti ishte gjetur", tha argjendari. (A2 Televizion)