“4 milionë lekë pension”, Berisha: Kur vendi digjej, Rama mendoi për vete

Nga Anesti Barjamemaj
19 Gusht 2025, 19:03 | Politikë

Nga foltorja e selisë blu, Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama se kur Shqipëria ishte në flakë, ka vendosur t’i caktojë vetes pension 4 milionë lekë në muaj. Në faqen zyrtare të qeverisë nuk është publikuar një vendim i tillë, por Berisha pretendon se gjithçka është vendosur teksa vendi u përfshi nga zjarret. 

“Edi Rama caktoi vetes pensionin më të lartë të të gjitha kohërave në historinë e këtij vendi. Në një kohë kur vendi digjej flakë në të katër anët, ai kujtohej sipas medieve, të përcaktojë për kryeministrin pensionin prej 4 milionë lekë. Pra, 4 milionë lekë, do të thotë 48 milionë lekë në vit pension Edi Rama për vete”.

Në një tjetër akuzë ndaj qeverisë, pas publikimit të treguesve të tregtisë së jashtme, kreu i opozitës tha se autoritetet shtetërore po mashtrojnë me eksportet. 

“Ata quajnë eksporte mallrat transit që nga Durrësi kalojnë në Kosovë, që janë importe të mirëfillta të Kosovës. Pra, importet e Kosovës, naftë në radhë të parë, por edhe importe të tjera, të cilat shkarkohen në Durrës për t’u transportuar me korridorin rrugor drejt Kosovës, Edi Rama dhe instituti i tij i turpshëm, i shpall ri-eksporte”.

Sipas Berishës e njëjta skemë përdoret edhe për të llogaritur numrin e turistëve në Shqipëri. 

“Identike me skemën e turistëve të Rinasit. Vijnë nga rajoni për të marrë linjat e lira, Easyjet apo Ryanair, dhe këta Edi Rama i regjistron turistë, paçka se ata maksimumi mund të pinë një kafe”.

Pas disa ditësh mungesë Berisha iu rikthye edhe denoncimit të asaj që ai e quan farsë zgjedhore. Kreu i PD publikoi disa video që sipas tij tregojnë se ditën e votimit janë kryer shkelje të shumta.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos