
Të paktën 4 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.
Ngjarja është shënuar në Urën e Kardhiqit, në kthesën që të çon drejt rrugës së re për në Sarandë.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se një automjet Mercedez-Benz i ka prerë rrugën një mjeti tjetër me targa AB704CR.
Përplasja ka qenë jo frontale, por anësore çka evitoi një tragjedi. Për pasojë janë lënduar drejtuesit e mjeteve si dhe dy pasagjerë, të cilët janë dërguar menjëherë në Spitalin e Gjirokastrës për mjekim të specializuar.
Policia Rrugore ndodhet në vendngjarje për të zbuluar shkakun e aksidentit. (A2 Televizion)