
Pushuesit janë mësuar ta shohin si një ndër destinacionet më të preferuara të jugut. Por, dita e 3 gushtit, një ditë pas tragjedisë ku mbeti e vrarë nga një gomone një vajzë 7-vjeçare, e gjen Potamin një plazh të vrazhdë, thuajse të boshatisur dhe pa zërat e fëmijëve që lahen në det.
Shezllongët e familjarëve të vogëlushes janë thuajse të paprekur, ndërsa lulet i tregojnë atyre që vijnë rishtaz se diçka e dhimbshme ka ndodhur atje. Pjesa më e madhe e pushuesve që u bënë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë janë larguar nga plazhi, ndërsa shumë pak të tjerë kanë ardhur.
Në plazh dhe bregdet nuk sheh më mjete argëtuese lundruese, ashtu sikurse janë zhdukur edhe reklamat artizanale për dhënien e tyre me qira.
Një prej pushuesve të paktë që gjetëm në plazh dhe që ishte dëshmitare okulare e ngjarjes, tregon momentin fatal: “Kam parë kur skafi po bënte rrotullime pa kontroll, pasi kishte goditur fëmijën”.
Ndërsa një tjetër pushues që e frekuenton rregullisht Potamin, shprehet se siguria nga mjetet lundruese ka munguar edhe në vitet e mëparshme.
Një ligj dhe rregulla te pazbatuara sollën një tragjedi, që ka një fajtor kryesor aktiv dhe shumë të tjerë pasivë. (A2 Televizion)