Të paktën 45 persona, mes tyre 12 fëmijë shqiptarë, nga Maqedonia e Veriut, humbën jetën, pasi një autobus u përplas dhe u përfshi nga flakët në një autostradë në Bullgarinë perëndimore. Sipas zyrtarëve vendas, ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 02:00 në një autostradë, 40 kilometra në jug të kryeqytetit Sofje.
Kreu i shërbimit të kontrollit të fatkeqësive të vendit, Nikolay Nikolov, tha për mediat se "45 ose 46 njerëz humbën jetën" në aksident, ndërsa 7 pasagjerë u shpëtuan dhe u evakuuan në një spital në kryeqytet.
Shefi i Policisë Kombëtare e Bullgarisë, Stanimir Stanev, tha se thuajse të gjithë udhëtarët ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. “Informacionet paraprake tregojnë se 52 persona udhëtonin në autobus, dy shoferët me kombësi maqedonase, ndërsa 50 udhëtarët me kombësi shqiptare”, tha ai.
Ende nuk është përcaktuar shkaku i aksidentit në këtë fazë. Pamjet televizive shfaqnin autobusin e djegur nga zjarri në mes të autostradës.
Sipas kanalit BTV, në automjetin, i cili kishte ardhur nga Stambolli dhe ishte nisur për në Shkup, ndodheshin 12 fëmijë.
"Kjo është një tragjedi. Ne nuk e dimë nëse të gjitha viktimat janë nga Maqedonia e Veriut, por supozojmë se është e tillë sepse autobusi është i regjistruar në vend", tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, në një intervistë për Nova TV.
Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që digjej. Të gjithë ishin në gjendje të qëndrueshme.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm bullgar, Bojko Rashkov, i cili ishte në vendin e aksidentit, bashkë me kryeministrin bullgar, Stefan Janev, tha se shkaqet e aksidentit do të sqarohen gjatë hetimit.
Ai ka theksuar se përveç autobusit të djegur kanë qarkulluar edhe tre autobusë të tjerë. Autobusi i aksidentuar lëvizte i fundit. Bankina në autostradë është shkatërruar nga autobusi dhe ka shumë mundësi që zjarri të ketë ndodhur në kontakt të autobusit me gardhin mbrojtës, tha Rashkov. (A2 Televizion)