
Simpatizantë të Partisë Demokratike të degës së Shkodrës dhe ish-deputetit të këtij qyteti, Bardh Spahia, janë përplasur me forcat e policisë, para ambienteve të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor numër 2.
Simpatizantët e PD nuk kanë lejuar futjen e anëtarëve të KZAZ, duke e argumentuar këtë veprim me dekretin e Presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e 30 qershorit për zgjedhjet lokale. Ndërsa Policia e Shtetit ka ardhur në ndihmë të anëtarëve të KZAZ.
Në këtë situatë nuk kanë munguar as përplasjet fizike. Si për ironi, Policia ka marrë kërkesa si nga anëtarët e KZAZ që t’i mundësojë të kryejnë detyrën, ashtu edhe nga Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila i kërkon ndihmë për të liruar ambientet e KZAZ. (A2 Televizion)