Situata në veri të Kosovës eskaloi në përplasje fizike midis serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët u dislokuan pranë objekteve komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit pas marrjes së detyrës nga drejtuesit e rinj të tyre.
Disa qindra serbë u mblodhën sot para ndërtesave komunale dhe kërkuan tërheqjen e policisë së Kosovës dhe kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë.
Ata sulmuan ushtarët e KFOR-it me molotov, sende të forta dhe lëndë të tjera djegëse, ndërsa nuk nguruan as të djegin edhe një prej mjeteve të misionit ndërkombëtar, në të cilën më herët shkruan simbolin ‘Z’, që është edhe simbol i rusëve në Ukrainë.
Policia është detyruar të përdorë gaz lotsjellës në Zveçan për të ndaluar protestuesit të cilët tentuan të hyjnë me forcë në objektin e kësaj komune.
Nga eskalimi i tensioneve gjatë demonstratës sipas KFOR-it kanë mbetur të lënduar 25 pjestarë nga kontingjenti shumëkombësh.
“Sot pasdite njësitet e KFOR-it janë dislokuar në 4 komunat e veriut të Kosovës me qëllim të frenimit të demonstratave të dhunshme që ndodhën pasi kryetarët e sapozgjedhur ditëve të fundit tentuan të marrin detyrën.
Duke iu kundërvënë skajeve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse.
Të trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore të KFOR-it, aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre”, thuhet në postimin në Twitter.
Ndërkohë, bëhet me dije se komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuçia, personalisht po e përcjell zhvillimin e situatës dhe shpreh ngushëllimin e tij për burrat dhe gratë e misionit të lënduar gjatë përleshjeve.
“Ai theksoi se sulmet e paprovokuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.
Sakaq, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani ka bërë të ditur se 11 ushtarë italianë të NATO-s janë plagosur nga përleshjet në Zveçan me protestuesit dhe tre prej tyre janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.






“Dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të angazhohet për paqen”, shkroi Tajani në Twitter.
Edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovernier si dhe ai britanik, Nicholas Abbott, kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, trupave të NATO-së si dhe ndaj gazetarëve që ndodhën pasditen e së hënës në komunat veriore.
Hovenier, duke bërë thirrje për ndalim të veprimeve që nxisin tensionet, ka thënë se KFOR-i është aty për të ruajtur paqen.
“SHBA-të dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve kundër KFOR-it, trupave që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkroi Hovenier.
Ndërsa Abbott u shpreh se sulmet ndaj KFOR-it janë kriminale.
“Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme. Siç e ka bërë jashtëzakonisht të qartë QUINT-i duhet të ndërmerren veprime menjëherë për të de-përshkallëzuar dhe ulur tensionet”, shprehet Abbott. (A2 Televizion)