
Një sërë reagimet kanë ardhur lidhur me situatën tepër kaotike në veri të Kosovës. Presidentja, Vjosa Osmani, akuzoi strukturat ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale për sulmet ndaj policisë, KFOR-it dhe gazetarëve.
“Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiçit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nënvizoi rëndësinë që kryetarët e rinj të komunave veriore ta ushtrojnë detyrën nga godinat zyrtare dhe tu shërbejnë qytetarëve sa më parë. Eurodeputetja von Crammon, paralajmwroi se qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me veprimet e saj në Veri.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, bashkë me diplomatët e shteteve të Quintit kanë qenë vazhdimisht në lëvizje në Kosovë. Në kërkim të një zgjidhjeje pas përleshjeve të forcave të KFOR-it me protestuesit serbë, ndërkombëtarët takuan në mënyrë urgjente kryeministrin Albin Kurti. Kërkesa e tyre për shefin e qeverisë ishte kjo:
“Ne ramë dakord që situata duhet të qetësohet, por nuk e di nëse mund të them se ka një marrëveshje se si do të ndodhë kjo ulje e tensioneve. SHBA-të besojnë dhe unë u them edhe kolegëve të mi se është nuk është e nevojshme që kryetarët e komunave të veriut të shkojnë çdo ditë në punë. Në fakt, në afat të shkurtër rekomandojmë që kjo të mos ndodhë. Ashtu si qeveria i lejoi ata të bënin betimin në ndërtesa të tjera, për të shmangur konfliktet, ne gjithashtu mendojmë se është mënyra e duhur për ta bërë këtë”, deklaroi Jeff Hovenier, Ambasador i SHBA në Kosovë.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovernier si dhe ai britanik, Nicholas Abbott, kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, trupave të NATO-së si dhe ndaj gazetarëve që ndodhën pasditen e së hënës në komunat veriore. Hovenier, duke bërë thirrje për ndalim të veprimeve që nxisin tensionet, ka thënë se KFOR-i është aty për të ruajtur paqen.
“SHBA dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve kundër KFOR-it, trupave që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkroi Hovenier.
Ndërsa Abbott u shpreh se sulmet ndaj KFOR-it janë kriminale.
“Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminelë dhe të papranueshme. Siç e ka bërë jashtëzakonisht të qartë QUINT-i duhet të ndërmerren veprime menjëherë për të de-përshkallëzuar dhe ulur tensionet”, shkroi Abbott.
Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë, në veri, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë tjera djegëse. (A2 Televizion)