Përsëritja e zgjedhjeve në Bashkitë pa kryetarë, politika fshihet pas procedurave

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2020, 15:23 | Politikë
Përsëritja e zgjedhjeve në Bashkitë pa kryetarë,

Fillimisht Shkodra, në gusht të vitit 2019, më pas Vora dhe Durrësi në fund të vitit që lamë pas, kanë  mbetur pa drejtues në krye të Bashkisë. Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku humbën detyrën për shkak të problemeve me drejtësinë, ndërsa Valbona Sako u dorëhoq.

Presidenti Ilir Meta, nuk ka dekretuar një datë tëre zgjedhjesh në këto bashki. Thotë se do hedhe firmën mbi dekret sipas ligjit, por pa përcaktuar se cilin parashikim ligjor. Neni 10 i Kodit Zgjedhor parashikon se Presidenti duhet te dekretojë datën e zgjedhjeve jo me vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.

Ndërprerja e mandatit të Valdrin Pjretit dhe Agim Kajmakut është botuar në fletoren zyrtare, e Valbona Sakos, jo. Neni 61 i ligjit për Qeverisjen Vendore saktëson se për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit, Këshilli Bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet Prefektit. Për vakancën e krijuar në Bashkinë Shkodër, Presidenti Ilir Meta është informuar nga Prefekti Çesk Millja, përmes një letre në gusht të vitit 2019. Për dy vakancat e tjera,  mësohet se nuk ka mbërritur njoftim ne Presidencë.

https://a2news.com/2020/02/05/jehona-e-dekriminalizimit-zeri-i-qytetareve-per-5-kryebashkiaket-me-probleme/

KQZ thotë se nuk e ka këtë përgjegjësi. “KQZ ka kompetencë organizimin e zgjedhjeve, kompetencë e cila lind pasi dekretohet data e zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës”, tha zëdhënësja e këtij institucioni, Drilona Hoxhaj.

Kryetari Klement Zguri nuk pranoi të komentonte, ndërsa Bledar Skënderi, anëtar në KQZ i zgjedhur nga socialistët, tha për A2 se topi është te Presidenti. “Procedura ka mbetur te Presidenti, për të shpallur datën e zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Ngërçi i krijuar e që po mban tre bashki pa kryetar, duket të jetë jo vetëm problem procedurash mes institucioneve. “Në rastin e Durrësit dhe të Vorës, do duhej që një letër e KQZ te Presidenti do të mjaftonte për të shpallur zgjedhjet e pjesshme lokale. Te rasti i Shkodrës, situata është më problematike, sepse kryetari nuk ka marrë detyrën, kështu që kërkon një reagim më institucional e bashkëpunim mes institucioneve”, thotë analisti Afrim Krasniqi.

A2 kërkoi edhe mendimin e përfaqësuesit të PS pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk pranoi të fliste, por një koment publik e bëri kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. “Për sa i përket Durrësit dhe Vorës jemi në kushtet e emergjencës civile dhe sapo të ketë përfunduar, Presidentiu të ketë dekretuar datën për 3 bashkitë”, tha ai.

Por demokratët, thonë se është Qeveria që duhet t’i drejtohet Presidentit. “Qeveria duhet të njoftojë Presidentin, sepse vendimi i Qeverisë për shkarkimin apo vakncën, botohet edhe ne fletoren zyrtare dhe duhet të njoftojë Presidentin, dhe Presidenti më pas, janë afatet ne kod zgjedhor, përcakton datën për zgjedhje”, thotë Çlirim Gjata, sekretar për çështjet ligjore në PD, por edhe ish-kryetar i KQZ.

Përtej procedurave, dy ish-kryetarë të KQZ mendojnë se Presidenti duhej ta kishte zgjidhur ngërçin me vullnetin e tij. “Presidenti duhet ta bënte këtë gjest, edhe nëse do kishte kosto politike, por nuk do e dëmtonte më shumë se mos dekretimi i zgjedhjeve në këto bashki”, thotë Ilirian Celibashi. “Po t’i referohesh formalisht ligjit, i takon Presidentit të shpallë me dekret zgjedhjet në këto njësi. Më shumë se një problem juridik, çka mungon është edhe vullneti politik”, shprehet Kristaq Kume. Ndërsa për analistin Afrim Krasniqi e gjithë kjo situatë duket se i bën të gjitha palët të jenë komode.

Kryeministria nuk iu përgjigj interesimit të A2 mbi situatën e krijuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos