
Dje në Drejtorinë e Përgjithshme, drejtues të lartë të DPPSH u mblodhën për të diskutuar për strukturën e re drejtuese. Ky diskutim u zhvillua pa praninë e mediave dhe struktura e re nuk u bë publike. Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta ka arritur të sigurojë draftin që po diskutohet për strukturën e re drejtuese të Policisë së Shtetit.
Burime bëjnë me dije se struktura e re do të përbëhet nga 6 departamente kryesore. Departamenti i Policisë Kriminale, kufirit, marrëdhënieve ndërkombëtare, rendi dhe siguria, shërbimet mbështetëse dhe IT.
Të 6 departamentet përbehen nga disa drejtori, siç është edhe përbërja e strukturës aktuale. Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta mëson se me strukturën e re bie në sy një fuqizim i departamentit të Policisë kriminale duke dobësuar departamentet e tjera dhe duke i dhënë më shumë atribute Kriminales. Ky departament do të përbëhet nga 7 drejtori dhe do të emërtohet "Departamenti për Hetimin e Krimit të organizuar dhe Krimet e Rënda".
Drejtoritë që do të përbëjnë këtë departament:
1-Drejtoria për hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve
2-Drejtoria për Hetimin e krimeve ekonomike dhe Financiare
3-Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda
4-Drejtoria e forcës së posaçme operacionale
5-Drejtoria e emergjencës dhe arkivës kriminale
6-Drejtoria për hetimin e krimit kibernetik
7-Drejtoria e Europol

Pesë departamentet e tjera do të jenë njësoj me disa drejtori më pak dhe më me pak atribute.
Departamenti i Policisë Kriminale merr edhe drejtorinë e Europol edhe pse në të gjithë vendet e Europës, Europol dhe Interpol janë bashkë. Ndërkohë me strukturën e re pritet të hiqet drejtoria e krimit të organizuar që drejtohet nga Edmond Rizai sepse ka mbivendosje me Drejtorinë e Antidrogës.
Ajo që vihet re me strukturën e re është përqendrimi i Policisë së Shtetit në dy poste, ai i Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, sot Policia Kriminale që drejtohet nga Neritan Nallbati. (A2 Televizion)
