
Policia në Kosovë ka arritur të arrestojë mëngjesin e sotëm 42-vjeçarin Astrit Isufi si autor i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve Naim dhe Driton Morina ditën e djeshme në fshatin Golluboc të Malishevës.
Isufi ka qenë i plagosur në momentin kur i janë vënë prangat nga efektivët.
“Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor”, njofton policia.
Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër dhe po udhëhiqen në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit. (A2 Televizion)
