Përshëndetje fashiste në përkujtimin e masakrës së 43 viteve më parë

Nga A2 CNN
8 Janar 2021, 13:20 | Bota

Qindra aktivistë të ekstremit të djathtë italian bënë përshëndetjen fashiste në memorialin e tre nacionalistëve të ekzekutuar në Romë, 43 vite më parë.

Ngjarja ka mbetur ende e pazbardhur nga autoritetet. Dy prej të rinjve, Franco Bigonzetti, 20 vjeç, dhe Francesco Ciavetta, 18 vjeç, u vranë në 7 janar 1978 pas një atentati, të njohur si masakra e “Acca Larentia”. Të tre ishin pjesëtarë të Lëvizjes Sociale Italiane. Disa orë më vonë, një i tretë, Stefano Recchioni, 19 vjeç, u vra nga policia pas protestave që shpërthyen në kryeqytetin italian kur u mor vesh për dy vrasjet e para.

Në fotot e publikuara në mediat italiane duken rreth 300 persona, të veshur me të zeza, që përshëndesin memorialin e viktimave, thuajse të gjithë pa maska, duke mos respektuar asnjë protokoll të vendosur nga autoritetet italiane për frenimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit.  

Ngjarja u përkujtua edhe nga liderja e partisë së ekstremit të djathtë, “Fratelli d’Italia”, Giorgia Meloni, e cila tha se për 43 vite, masakra mbetet ende pa fajtorë të dënuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos