Kishin 4 vite që prisnin të përuronin stadiumin e tyre të ri, një kryevepër arti dhe teknologjie me vlerë 1,2 miliardë dollarë. Por skuadra amerikane e bejsbollit, Texas Rangers, “festoi” ditën e madhe pa asnjë tifoz brenda arenës gjigante, në ndeshjen kundër Colorado Rockies.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara po hasin vështirësi të përmbajnë rastet e reja me koronavirus që pas rihapjes, ndeshjet e bejsbollit rifilluan të luheshin, por pa spektatorë. Një sezon i plotë zakonisht përfshin 162 takime, por këtë vit, për shkak të pandemisë është shkurtuar në 60 ndeshje.
Arkitekti Fred Ortiz kishte 4 vite që punonte për të realizuar këtë stadium, por në ditën e madhe u desh të qëndronte i vetëm në shkallët e tij. “Mu duk vetja si te filmi “Field of Dreams”, pasi ishte krejt i vetëm duke ndjekur ndeshjen”, tha ai për CNN.
Në stadiumin e ri, në Arlington, vetëm një gjë ka mbetur e pandryshuar, zëri dhe pasioni i Chuck Morgan, komentuesit të ndeshjes. “Unë jam tifoz i tifozëve”, thotë ai për CNN. “E urrej faktin që ata nuk mund të jenë këtu. Është sakrificë e madhe t’u kërkosh tifozëve të mos vijnë të shohin ndeshjen, ndoshta kanë gjithë vitin që e presin”. (A2 Televizion)